‘Unmasked Love’ – Mbrëmja Gala në mbyllje të Muajit të Krenarisë

Muaji Maj shënoi edhe këtë vit një muaj të vërtetë të Krenarisë, të mbushur me aktivitete ndërgjegjësimi dhe nisma të cilat rritën më tej dukshmërinë për të rinjtë dhe të rejat LGBTI+, realitetin e tyre të përditshëm, sfidat dhe përpjekjet për tejkalimin e tyre përmes organizmit, solidaritetit dhe përkujdesjes për njëri-tjetrin.

Streha është tejet e lumtur që pati mundësinë të risjellë mbrëmjen gala të bamirësisë këtë vit, pas 2 vitesh ndërprerje prej pandemisë, gjatë të cilëve puna jonë u desh të orientohej drejt shërbimeve direkte për të lehtësuar efeketet e saj në strehimin, mirëqenien fizike dhe psikologjike të të rinjve LGBTI+.

Këtë vit patëm mundësi të heqim maskat dhe të shprehim dashurinë për njëri-tjetrin sërish pa pengesa, të rikthehemi te promovimi i vlerave të solidaritetit dhe diversitetit pa kushtëzime dhe frikë për shëndetin tonë.

“Unmasked Love”, (Dashuri pa Maska) ishte dhe titulli i Mbrëmjes së gjashtë Gala të organizuar nga Streha, për të ngritur fonde për të rinjtë dhe të rejat LGBTI+ në Shqipëri.

Mbrëmja Gala u organizua në Pallatin e Brigadave, me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohur të skenës dhe artit, aktivistë dhe mbështetës së kauzës LGBTI+ në Shqipëri, përfitues së shërbimeve tona dhe pjesëtarë të komunitetit, përfaqësues së trupit diplomatik, si dhe politikanë dhe përfaqësues së institucioneve.

Ishte një nder dhe kënaqësi e pamasë të shënonim hapjen e mbrëmjes gala me performancën e artistes sonë të mirënjohur Inva Mula si dhe me fjalën përshëndetëse nga Adelajda Alikaj dhe Esmeralda Xhelilaj, drejtuese të qendrës Streha, të cilat përshëndetën pjesëmarrësit dhe sponsorët e mbrëmjes, si dhe shprehën mirënjohjen e stafit dhe komunitetit të përfituesve tanë për mbështetjen e siguruar.

Mbrëmja Gala, e moderuar nga mbretëresha drag më e famshme në vend, Vezirja, u shoqërua dhe me performanca artistike nga këngëtarët Rosela Gjylbegu dhe Alban Nimani, si dhe grupi muzikor All In Band.

Në mbrëmje nuk munguan trupat diplomatik, me pjesëmarrjen e Ambasadores së Shteteve të Bashkuara znj.Yuri Kim, Ambasadorit të Holandës z. Reinout Vos, Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar z.Alastair King-Smith, si dhe përfaqësues nga Ambasada Suedeze, Franceze dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë. Galaja këtë vit siguroi dhe mbështetjen  e Kryetarit të Bashkisë Tiranë z.Erion Veliaj, Ministrit të Brendshëm z. Bledi Çuçi, deputeteve znj. Klotida Bushka dhe znj. Klodiana Spahiu, ish-deputetes znj. Rudina Hajdari, si dhe përfaqësues nga Ministria e Shëndetësise.

Një moment tejet i rëndësishëm dhe i veçantë për ne, ishte dhe shpërndarja e çmimeve të Aleatëve të Vitit nga aktivistja Xheni Karaj. Aleatët e Vitit janë personat të cilët kanë ndihmuar Strehën në nevojat e saj materiale, në ofrimin e shërbimeve, apo kanë mbështetur kauzën tonë për më shumë të drejta për komunitetin dhe familjet LGBTI+.

Një mirënjohje për të gjithë Aleatët e Vitit:

  • Meris Xibraku
  • Merita Xhafaj
  • Iva Çoku
  • Dolly Wittberger
  • Isa Myzyraj
  • Marsela Çibukaj
  • Angjelina Pistoli
  • Rudina Magjistari
  • Dorina Laçi
  • Luan Leka


Me mbështetjen e me shumë se 20 bizneseve, gjatë mbrëmjes u organizua edhe një ankand me produkte të dhuruara për Qendrën STREHA, për të vijuar mbështetjen financiare dhe për të përmbushur nevojat e personave të komunitetit LGBTI+.

Duke ju shprehur dhe njëherë mirënjohjen të gjithë mbështetësve të kauzës dhe punës sonë, Streha do të vijojë të mbetet e angazhuar në ofrimin e mbështetjes për të rinjtë dhe të rejat LGBTI+, me më shumë vullnet dhe frymëzim.


Ky artikull është pjesë e fushatës së vizibilitetit ‘Changing Hearts, Changing Minds’, mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top