STREHA shpallet fituese e Çmimit për të Drejtat e Njeriut nga CNCDH dhe Republika e Francës

Ishim shumë të ndjeshëm ndaj cilësisë së projektit, i cili është shumë mirë i ndërtuar dhe i mbështetur nga dy shoqatat (Aleanca LGBT dhe Pro LGBT), duke demostruar profesionalizëm në punën e tyre në vend. Çmimi mundëson zbatimin e një projekti që synon të plotësojë nevojat bazë të personave LGBTQI në Shqipëri duke nxitur mbështetjen e institucioneve publike për çështjet LGBTQI.

Juria e Komisionit Kombëtar Këshillimor të të Drejtave të Njeriut, (CNCDH)

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Komisioni Kombëtar  Këshillimor i të  Drejtave të Njeriut në Francë (CNCDH) vlerësoi Qëndrën Streha me cmimin “Liri, Barazi, Vëllazëri” për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022.

Streha është një nga pesë organizatat, të zgjedhura nga njëqind e dyzet kandidatët, të vlerësuara me çmimin e mirënjohjes për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave seksuale dhe riprodhuese në prag të ditëlindjes së saj të 8-të, duke u bërë kështu organizata e parë shqiptare që vlerësohet me këtë çmim.

Kush është CNCDH?

I themeluar në vitin 1947, me iniciativën e René Cassin, fitues i çmimit “Nobel për Paqe”, Komisioni Kombëtar Konsultativ për të Drejtat e Njeriut (CNCDH) është institucioni kombëtar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Francë, i akredituar në Kombet e Bashkuara. Duke synuar të vlerësojë veprimet në terren dhe projektet, individuale apo kolektive, në lidhje me mbrojtjen dhe promovimin efektiv të të drejtave të njeriut, ky çmim ndahet në Paris më 10 dhjetor të çdo viti, me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut të shpallur nga Kombet e Bashkuara.

CNCDH vepron plotësisht në mënyrë të pavarur, përballë Qeverisë dhe Parlamentit Francez, me mision këshillimin në fushën e të drejtave të njeriut, ligjit dhe veprimit humanitar, si dhe monitorimin e respektimit të angazhimeve të Francës në këtë drejtim. Ai gjithashtu ka një rol në edukimin për të drejtat e njeriut.

CNCDH e mbështet veprimtarinë e saj në tre parime kryesore: pavarësia, pluralizmi dhe vigjilenca. Çmimi për të Drejtat e Njeriut i Republikës Franceze “Liri – Barazi – Vëllazëri” u krijua në vitin 1988, me nxitjen e CNCDH. Objektivi i këtij çmimi është njohja e rolit themelor të shoqërisë civile në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën.

Çmimi për të Drejtat e Njeriut

Çdo vit, CNCDH hap një thirrje për aplikime në fund të majit/fillimit të qershorit, duke specifikuar temën e vitit. Një juri, e përbërë nga anëtarë të CNCDH dhe institucione të rëndësishme franceze, përzgjedh pesë fituesit e Çmimit për të Drejtat e Njeriut. Fituesit përzgjidhen në bazë të veprimtarisë që kanë kryer në fushën në të cilën veprojnë, si dhe të projekteve që synojnë të zhvillojnë.

Për edicionin 2022 të Çmimit, është propozuar tema: “Të drejtat seksuale dhe riprodhuese: mbrojtja e të drejtave të personave LGBTQIA+ dhe lufta kundër pabarazive gjinore.

Qendra Streha kandidoi për këtë çmim me projektin me temë: “Parandalimi dhe reagimi ndaj infeksionit HIV ndaj komunitetit LGBTQI në Shqipëri dhe rajonin shqipfolës në Ballkanin Perëndimor”. Përpjekjet e përditshme të Qendra Streha për të mbështetur fuqizimin dhe mirëqenien e komunitetit LGBTQI dhe promovimin dhe mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut janë në përputhje të plotë me thirrjen për nominim.

Çmimi për të Drejtat e Njeriut iu dorëzua fituesve këtë të premte, më 9 dhjetor, nga Znj. Isabelle Lonvis – Rome, Ministre e deleguar nga Kryeministri, Përgjegjëse për Barazinë midis grave dhe burrave, Diversitetin dhe Mundësitë e Barabarta dhe nga Z. Jean-Marie Burguburu , President i CNCDH.

Përfaqësueset e Qendra Streha zhvilluan takime me anëtarët e jurisë, ambasadorin për çështjet LGBTQI në Francë, përfaqësues të “Amnesty International” dhe Ministrin e deleguar nga Kryeministri, për të prezantuar dhe promovuar punën që Qendra “Streha” kryen në drejtim të përmirësimit të situatës së komunitetit LGBTQI në Shqipëri. Përfaqësueset e Qendra Streha patën gjithashtu mundësinë të ndajnë përvojat e tyre me fituesit e tjerë të çmimeve, të cilët gjithashtu kishin një përvojë të gjatë në avokimin për çështjet LGBTQI në vendet përkatëse.

Çmimi dhe zbatimi i projektit ka një rëndësi të madhe për organizatën tonë dhe individët që ndihmojmë.

Ky cmim shkon për të gjithë individët HIV pozitiv, mbijetesa e të cilëve është në rrezik dhe të gjithë të rinjve në Shqipëri dhe rajonin shqipfolës që kanë vazhduar përpjekjet e tyre për të jetuar me sfidat dhe stigmën e HIV.

Çmimi shkon për përpjekjet e bëra për të siguruar që personat që jetojnë me HIV në Shqipëri të kenë akses të vazhdueshëm në ekzaminimet që u nevojiten për të ruajtur cilësinë e jetës së tyre, për të ulur shkallën e infeksioneve të reja dhe për të lejuar ofrimin falas të ekzaminimeve si pjesë e protokollin standard të trajtimit.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top